Tiranë/ U qëllua me breshëri kallashnikovi, vëllai i Andrea Kalemit i shpëton atentatit
Persona ende të panjohur kanë qëlluar me kallashnikov drejt makinës në të cilën udhëtonte Zamir Kalemi mbrëmjen e sotme tek rrethrrotullimi i Selitës, në Tiranë. 40 vjeçari është vëllai i Andrea Kalemit i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022. Gjendet makinë e djegur në Bërzhitë, brenda dhe një kallashnikov.
Tirane- Vëllai i Andrea Kalemit, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe greke, i ka shpëtuar një atentati mbrëmjen e së premtes (12 Janar 2024) tek rrethrrotullimi i Selitës në Tiranë. Ka qenë ora 22:55 minuta. Zamir Kalemi ka qenë duke lëvizur me makinën e tij, Smart, kur nga një mjet tjetër në lëvizje është qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Pak minuta më pas u mësua për një makinë të djegur në Bërzhitë, që dyshohet se është e autorëve. Brenda në makinë është gjetur dhe një kallashnikov.
Forca të shumta të policisë bënnë krehjen e zonës ndërsa janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore dhe hyrje-daljet e Tiranës, për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve të dyshuar.
Ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes” informoi policia e Tiranës.
Një nga pistat e hetimit të atentatit të sotëm është vijimi i sagës së vrasjeve të 2022 Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papa. Vëllai i tij, Andrea Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Edmond Papës në dhjetor të 2022, ndërsa Sadikaj i cili mbeti i vrarë në qershor të po këtij viti ishte kushëriri i vëllezërve Kalemi.