DINAMIKA/ 33 gëzhoja në atentatin e Lundrës, kalimtari i shpëton breshërisë së plumbave! Makina e tij u godit në …

Një tjetër qytetar i rastësishëm ka shpëtuar nga breshëria e plumbave mbrëmjen e 17 prillit në Tiranë.

Bëhet fjalë për një të ri, i cili ka qenë duke udhëtuar paralelisht me makinën e tij tip “Ford” në momentin kur ka ndodhur sulmi ndaj makinës “G-Class”.

Makina e të riut është goditur nga një plumb në kolonën e derës. Ai është larguar me shpejtësi nga frika dhe është futur në parkimin e një qendre tregtare, ku më pas ka njoftuar policinë për atë që kishte ndodhur.

Atij i është marrë dëshmia, por pavarësisht se ka qenë dëshmitar okular, nuk ka mundur të zbulojë mbi autorët e kësaj ngjarjeje, pasi sipas tij gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe u largua me nxitim nga frika.

Ndërkohë, përveç pistës që mund të ketë qenë një ngatërresë, policia dhe prokuroria e Tiranës po hetojnë edhe mundësinë që sulmi të jetë bërë kundër pronarëve të kompanisë së sigurisë fizike “Pelikani Security”, ku po shqyrtohen konfliktet e mëparshme që ata mund të kenë pasur.

Kjo edhe për faktin se policia mori në pyetje në Lezhë bashkëshorten e Roan Brahimit, babai i të cilit u vra dy orë para ngjarjes, por ajo ka deklaruar se nuk kishte asnjë ide se kush mund t’ia kishte vrarë vjehrrin apo nëse ngjarja kishte lidhje me plagosjen e katër personave në Tiranë.

Ajo shtoi gjithashtu se në momentin e plagosjes ndodhej në Milot. Ndër të tjera, ka theksuar se nuk ka probleme me persona të tjerë, por nuk ka përjashtuar konfliktet që mund të ketë pasur bashkëshorti i saj.

Nga dinamika që ka ndërtuar policia, rezulton se autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë dy, kanë pritur për një kohë të gjatë në zonë, ku kanë prishur edhe një gardh metalik pranë rrugës kryesore për t’u fshehur. Pas atentatit, autorët me motor “Ducati” janë nisur drejt Elbasanit, ku më pas kanë humbur gjurmët.

33 gëzhoja u gjetën nga policia në vendin e ngjarjes, ndërsa 8 plumba goditën makinën “G-Class”. Ndërsa një plumb tjetër goditi makinën tip “Ford” të një qytetari tjetër.

Policia shoqëroi disa persona, të cilët kanë precedentë të mëparshëm penalë, por as marrja e tyre në pyetje dhe as hetimet e deritanishme nuk kanë sjellë ndonjë rezultat.