Dy kamionë u dogjën në orët e para të së martës në Mitrovicë të Veriut, ndërsa zjarri prej tyre dëmtoi edhe një veturë udhëtarësh.Zjarri ka të ngjarë të ketë qenë i qëllimshëm, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin Verior, Veton Elshani.
Nuk ka të dyshuar dhe se hetimet janë duke u zhvilluar. Pronarë të kamionëve janë shqiptarë, të cilët kanë biznese me shumicë në veri të Mitrovicës, ndërsa automjeti i dëmtuar i pasagjerëve është në pronësi të një serbi. Zjarrit që përfshiu kamionët, i paraprinë tri shpërthime. Në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – kanë ndodhur disa incidente të ngjashme këtë vit.
Në fillim të qershorit janë djegur dy makina në vendin e njëjtë ku janë djegur edhe kamionët e fundit, ndërsa në fillim të prillit, një pjesëtari të policisë kufitare të Kosovës i është djegur, po ashtu, vetura.Në fillim të muajit mars është djegur edhe një restorant në pronësi të Natasha Tomaniqit, ish-zëvendëskryetare e Komunës së Zveçanit.
Ajo dhe autoritetet lokale kanë thënë se dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht.Në fund të marsit, ndërkaq, është djegur një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, ish-drejtor i Administratës për Sport, Rini dhe Kulturë në Komunën e Leposaviqit.
Radosavleviq ka thënë për REL-in atëkohë se beson se motivi për zjarrvënien ka qenë i natyrës politike. Gjatë vitit 2023 dhe në fund të vitit 2022, kur ka qenë në proces riregjistrimi i automjeteve me targa të Kosovës në veri, janë djegur disa vetura me targa RKS (Republika e Kosovës) në atë zonë.
BURIMI: RADIO EUROPA E LIRË