Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç përmbyllën një maratonë takimesh sot në Bruksel pa ndonjë pajtim. Qeveria e Kosovës tha se ata janë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshjen, por Vuçiç ka refuzuar.
Pa ndonjë pajtim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh këtë të enjte në Bruksel (26 tetor). Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell,deklaroi pas takimit se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur gatishmëri për pajtim në Bruksel rreth propozimit të ri evropiano-amerikan lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili u është prezantuar palëve më 21 tetor.
“Është një pengesë e madhe, e që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Në mënyrë që të ndihmohen palët për të arritur marrëveshje, bashkë kemi prezantuar një propozim serioz evropian dhe të balancuar për ta themeluar këtë asociacion dhe kemi insistuar që palët ta shfrytëzojnë këtë rast, që do të ishte hap i madh përpara drejt procesit të normalizimit dhe të shmangen ngritjet e reja të dhunës”, ka thënë Borrelli në një deklarim për uebfaqen e BE-së.
“Palët nuk ishin të gatshme që të pajtoheshin me këtë, pa parakushte të cilat ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit, që mund të bëhet vetëm përbrenda në kornizën e dialogut, sepse është e vetmja rrugë për ta për avancim në rrugën evropiane” nënvizohet më tej.
Sipas Qeverisë së Kosovës, Kurti përsëriti se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pala tjetër nuk është.
“Presidenti i Serbisë ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023”, thuhet në komunikatë.
Nga ana tjetër, Vuçiç tha se ‘Serbia nuk mund ta pranojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara apo pavarësinë e Kosovës – hapa që, në njëfarë mënyre, i kërkon Marrëveshja Bazë’.
“Nuk u bë fjalë për nënshkrim apo mosnënshkrim të ndonjë gjëje”, por “për zbatimin e asaj që është nënshkruar dikur, apo që është rënë dakord”, tha presidenti serb.
Duke iu drejtuar gazetarëve pas takimeve, Vuçiç tha se Serbia dëshiron t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me autoritetet e Kosovës. Ai tha se, më 21 tetor, kur në Beograd priti të dërguarit perëndimorë, mori një letër që ishte “bazë e mirë për të ardhmen”. Sipas Vuçiç ai punim ka të bëjë ekskluzivisht me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit në përputhje me propozimet që i kemi marrë”, u tha Vuçiç.
Ai shtoi se askush në takime nuk i ka përmendur “sanksionet kundër Serbisë”, që do të lidheshin me sulmin në Banjskë.
Për sulmin e 24 shtatorit, që la të vrarë një polic, Kurti bëri përgjegjëse Serbinë dhe kërkoi edhe të enjten “sanksionimin dhe ndëshkimin e saj”, në mënyrë që sulmet e tilla “të mos përsëriten kurrë më”.
Deklaratat pasuan takime të veçanta të dy liderëve nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësues të lartë të BE-së. Meloni tha se dy udhëheqësve u është kërkuar të bëjnë hapa përpara “në zbatimin e dokumenteve dhe marrëveshjeve të arritura në muajt dhe vitet e fundit”.
Ku qëndron dialogu?
Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim. Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë. Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, më 25 tetor, Kurti tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”. Ky proces që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.