Dhunoi shefin e financës, shkarkohet drejtoresha e Spitalit Rajonal Dibër/ Ja kush emërohet në vend të saj

Drejtoresha e Spitalit Rajonal Dibër, Irini Shehu, është shkarkuar nga detyra, pas akuzave për ushtrim dhune ndaj shefit të financës së këtij spitali. Në vend të saj është emëruar Astrit Ademi.

Ngjarja ndodhi më 11 shkurt, kur drejtoresha u vu nën hetim nga Policia e Dibrës, pasi dyshohet se e ka goditur me një send të fortë në fytyrë shefin e financës, Sh.U., 37 vjeç, pas një konflikti verbal.

Shefi i financës ka referuar rastin në polici, duke deklaruar se është goditur nga drejtoresha në ambientet e spitalit.

Në njoftimin zyrtar, policia bëri me dije:

“Shtetasi me iniciale Sh.U., 37 vjeç, banues në Peshkopi ka kallëzuar se në ambientet e spitalit, pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga I.Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, me detyrë Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasen I.Sh., e dyshuar për veprën penale ‘Plagosja e lehtë me dashje.’”

Astrit Ademi ka marrë detyrën si drejtor i ri i Spitalit Rajonal Dibër, ndërsa hetimet për këtë rast po vijojnë.