Dhunoi 52-vjeçarin me grushte, shkelma dhe sende të forta, arrestohet 37-vjeçari në Sarandë! Nipi i tij shpallet në kërkim

Një 37-vjeçar është arrestuar nga policia pasi, në bashkëpunim me nipin e tij, ka dhunuar rëndë një 52-vjeçar në Sarandë. Ngjarja ndodhi të premten, më 21 shkurt, rreth orës 16:10, në zonën e njohur si “Rruga për në Heremec”, në lagjen nr. 3 të qytetit.

I arrestuari, Diomet Musai, së bashku me nipin e tij, Markeljan Musai, 29 vjeç, dyshohet se kanë goditur me grushte, shkelma dhe sende të forta shtetasin me iniciale S. Ç., duke i shkaktuar dëmtime të rënda për motive të dobëta.

Policia bëri të ditur se 37-vjeçari, i cili ka precedentë penalë për krime ndaj personit, ishte fshehur në një banesë në fshatin Lukovë, ku u lokalizua dhe u arrestua pas një operacioni të organizuar nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Ndërkohë, nipi i tij, 29-vjeçari Markeljan Musai, është shpallur në kërkim dhe policia po vijon operacionin për kapjen e tij.

Materialet e hetimit i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.