Dhunimi i të miturit në kopsht, procedohet bashkëshorti i edukatores! Akuzohet për kërcënimin e babait të 3-vjeçarit

Policia ka zgjeruar hetimet në lidhje me rastin e dhunimit të një të mituri në një kopsht privat në Tiranë, ku dyshohet se edukatorja R. G. ka keqtrajtuar një fëmijë 3-vjeçar. Pas shpalljes në kërkim të edukatores, autoritetet kanë proceduar në gjendje të lirë edhe bashkëshortin e saj, shtetasin I. G., 63 vjeç.

Sipas burimeve zyrtare, I. G. akuzohet se ka kërcënuar me anë të telefonit shtetasin L. Rr., babain e të miturit të dhunuar. Incidenti ka ndodhur pas denoncimit të bërë nga prindërit e fëmijës, çka ka çuar në nisjen e hetimeve ndaj edukatores.

Më herët, shtetasja R. G. u shpall në kërkim për veprën penale të “Keqtrajtimit të të miturve” dhe pritet të përballet me drejtësinë për sjelljen e saj në ambientin e institucionit arsimor ku punonte. Ndërkohë, hetimet për përfshirjen e bashkëshortit të saj në këtë rast janë në vijim.