Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi, lihen në burg Dritan Nano dhe Dorian Alia. Prokuroria zbut akuzën

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj dy të arrestuarve dhe tre personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhej me sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi pak ditë më parë.

Prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg për 2 të ndaluarit, si dhe për 3 të shpallurit në kërkim, Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, të cilat u lanë në fuqi nga gjykata.

Nga ana tjetër Prokuroria e Tiranës ka zbutur akuzën ndaj të dyshuarve duke rikualifikuar veprën penale nga vrasje të funksionarëve publik e mbetur në tentativë në ‘plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.

Për veprën penale ‘Vrasje e funksionarëve publik e mbetur në tentativë’ kodi penal parashikon jo më pak se 30 vjet ose burg përjetë. Ndërsa për veprën “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim” burg nga 3 deri në 10 vjet “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit” në bashkëpunim. Gjobë ose burgim deri në 7 vite.

Ndërkohë gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi i dhunuar 4 ditë më parë për shkak të detyrës, vijon të jetë e njëjtë. Ai ndodhet ende në intubim në spitalin e Traumës, i stabilizuar, por pa asnjë ndryshim.

Avokati u dhunua mëngjesin e 29 majit sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut. Dorian Alia 32-vjeç i cili u vetëdorëzua, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.

58-vjeçari Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë, aty ku sot janë ndërtuar kulla te Diga e Liqenit. Marrëveshja mes palëve (trashëgimtarëve dhe avokatit) është për të përfituar një përqindje të caktuar të pronës së fituar më gjyq, pra jo pagesë, por pjesë e pronës. Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.