Dhunë shkatërruese në rrugët e Athinës, tifozi 22-vjeçar i AEK vritet me thikë nga ultrasit e Dinamo Zagreb

E gjithë Greqia dhe bota e sportit është tronditur nga vrasja makabre e një tifozi 22-vjeçar të AEK-ut të Athinës.

Tifozi i identifikuar si Michael, mbeti i vdekur pas plagëve me thikë të marra pas sherrit masiv të ultrasve të AEK-ut dhe Dinamos së Zagrebit.

Në prag të duelit të raundit të tretë të Champions League, kroatët kanë udhëtuar drejt Athinës, aty ku së bashku me ultras të Panathinaikos shkaktuan trazira, viktima dhe të plagosur në radhët e tifozëve të AEK.

Nga plagët e marra mbeti i vdekur 22-vjeçari, me tifozët që mbajtën edhe homazhe shumë pranë vendit të ngjarjes. Huliganët e Dinamos së Zagrebit, pavarësisht se janë të ndaluar nga UEFA për të qënë në stadium udhëtuan drejt kryeqytetit grek.

Nga përplasja mbeten edhe të paktën 8 persona të plagosur, ndërsa policia ka arrestuar 96 tifozë të përfshirë në ngjarjet shkatërruese pranë stadiumit të AEK-ut. Huliganët kroat tentuan që të futeshin edhe në ambientet e stadiumit grek, por dyert ishin të mbyllura. Në dyshim është edhe sfida e mbrëmjes, mes AEK dhe Dinamo Zagreb, e vlefshme për turin e tretë kualifikues të Champions League.