Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Sarandë, Arben Çipa, është dhunuar nga dy persona në një incident të ndodhur gjatë punimeve për një projekt infrastrukture.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë të njohur si zona Hermes, ku Çipa po investonte për përmirësimin e rrugës dhe rrjetit të energjisë elektrike, në bashkëpunim me një projekt të miratuar nga OSHEE.
“Do të tentoj të jem konkret dhe specifik. Biznesi im zhvillohet në një zonë e cila quhet zonë hermes dhe ndodhem në një fazë ku investoj për infrastrukturën e rrugës shoqëruar me infrastrukturën e energjisë elektrike. Kemi marrë një projekt nga OSHEE për të zhvilluar zonën,. Kjo zonë është pa asnjë ndërtim. Në punim e sipër, personat kanë pretenduar që unë mos të kaloj linjën se i pret pamjen për të ardhmen e tyre. Nuk kanë asnjë biznes, unë si qytetar që jam nuk i përkas rangut të tyre shoqëror. Përgjigja ime kam thënë nuk mund të ndërhyj unë në projektet e OSHEE, megjithatë një lëshim e kam bërë që të mos kenë probleme në të ardhmen. Në një moment më prenë rrugën, më ofenduan dhe shanë. Reagova në gjuhën e tyre dhe dolën nga automjeti. Kam tentuar të mbrohem, kanë filluar të gjuajnë me shqelma e grushte”-shprehet Çipa.
NJOFTIMI I POLICISE:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë shpallën në kërkim shtetasin Xh. M., 34 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se rreth orës 20:30, në lagjen nr. 2, së bashku me dy shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, ka goditur me sende të forta, shkopinj dhe leva hekuri, shtetasin L. M., 42 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Nga hetimet dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të mëparshëm gjatë ditës, në rrugën “Lefter Talo”, mes shtetasve L. M. dhe F. M., 46 vjeç (xhaxhai i shtetasit Xh. M.), ndaj të cilëve nisi gjithashtu procedimi penal për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.