Dhuna në Kuvend, reagon grupi opozitar
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët Monika Kryemadhi e Gazment Bardhi kanë reaguar pas tensioneve të larta në këtë seancë plenare.
Berisha i ka cilësuar zhvillimet e seancës së sotme parlamentare akte të turpshme antiligjore dhe anti kushtetuese.
Përmes një prononcimi për mediet nga oborri i Kuvendit, Berisha u shpreh se bllokimi i Komisioneve Hetimore parlamentare nga mazhoranca janë një përpjekje e kryeministrit Rama për të fshehur lidhjet e ministrave të kabinetit të tij me krimin e organizuar.
“Akte të turpshme antiligjore, anti kushtetuese të parlamentit që bllokon seancën. Opozita po bën një betejë në emër të qytetarëve siç është bërë e ditur. Edi Rama ka anuluar, pezulluar deri tani përveç komisionit hetimor për të zbuluar vjedhjen e shekullit, të gjitha komisionet e tjera parlamentare. Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore parlamentare sepse vetë ai është flamuri i zi i korrupsionit në Shqipëri. Favorizon dhe pasuron anëtarët e familjes së tij. Sepse vetë ai ka ndërtuar sarajet. Sepse vetë ai dhe e shoqja e tij ka ndërtuar një pallat 5 katësh për të cilat nuk gjendet asnjë dokument i vetëm, sepse toka është blerë me një çmim 2.5 dollar për m2 kur në atë kohë m2 ka qenë 25 dollarë. Edi Rama po bëhet pronar me Alabarin e Dubait të Durrësit duke vjedhur në Portin e Durrësit. Të gjitha këto janë një motiv që të qëndrojmë për kushtetutën. Ka një nen kushtetuta që njeh të drejtë të pacenueshme të pakundërshtueshme të deputetëve të opozitës që me numër të caktuar të firmave të ngrejnë komisionet hetimore parlamentare. Edi Rama nuk e lejon këtë sepse në të gjitha komisionet ai del strumbullar i tyre. Ai del strumbullar në aferën McGonigal, në të cilën vetë Charls McGonigal ka pranuar fajësinë për të gjithë dosjen shqiptare. Kjo dosje lidhet me tre persona, Edi Ramën, Dorian Duçkën dhe Agron Nezën. Edi Rama nuk lejon komision hetimor parlament për patronazhistët se është vetë njeriu që e ka ndërtuar atë. Rama nuk lejon komisionet hetimore parlamentare për TIMS-in sepse me të ka zhdukur dhe do të zhdukë gjurmët e Olsi Ramës me kriminelë, do të zhdukë gjurmët e udhëtimeve me charterin e tij privat jashtë vendit apo të Taulant Ballës për lidhjet e tij me bajlozët e krimit dhe të drogës. Rama nuk lejon komisionet sepse deri tani u ka dhënë kriminelëve dhe bajlozëve të drogës, dhe qeveritarëve të tij 6 milion m2 zonë turistike të lirë nga taksat me të drejtë përdorimi për 20 vjet. Ne po mbrojmë një të drejtë themelore dhe kushtetuese dhe jemi këtu për të mbrojtur kushtetutën me çdo kusht”, tha Berisha.