Dhjetëra mijëra gjermanë shkojnë për të punuar jashtë vendit! DW: Paga më të larta dhe kushte më të mira në Luksemburg, rroga deri 100.000 euro në vit për infermierët
Paga dukshëm më të larta dhe kushte më të mira pune – gjithnjë e më shumë gjermanë duan të punojnë në Luksemburg.
Ora tetë e mëngjesit. Somaeh Metzger troket në derën e zonjës Pennig-Chaussy dhe hyn brenda. “Mirëmëngjes, si jeni?” thotë infermierja. “Gudde Moien,” përgjigjet ajo. Marie Josée Pennig-Chaussy është 94 vjeç dhe prej gjashtë vitesh jeton në shtëpinë e të moshuarve “Op Lamp” në Wasserbillig, Luksemburg. Somaeh Metzger është 50 vjet më e re. Fillon procedura e zakonshme e kujdesit.
Somaeh Metzger e vesh zonjën Pennig-Chaussy, e ndihmon të ngrihet nga shtrati, e vendos në një karrige me rrota dhe e çon në banjë. Pas dhjetë minutash kthehen në dhomë. Zonja Pennig-Chaussy kujdeset për vendosjen e buzëkuqit, edhe pse kujdestarja e ndihmon duke i mbajtur dorën që i dridhet. Ato diskutojnë për karrierën e mëparshme teatrore të zonjës së moshuar – herë në gjermanisht, herë në gjuhën e Luksemburgut, me plot fraza në frëngjisht.
Shumë më mirë se në Gjermani
Pothuajse 20 vjet më parë, Somaeh Metzger vendosi të linte punën e saj në një shtëpi të moshuarish në Gjermanidhe shkoi në Luksemburgun fqinj. Ajo mësoi gjuhën luksemburgase në një kurs të organizuar nga punëdhënësi i saj. Nga shtëpia e saj në Trier të Gjermanisë, ku jeton me familjen e saj, deri në vendin e saj të punës janë vetëm 13 kilometra. “Nuk jam penduar për vendimin tim për asnjë sekondë”, thotë Metzger.
Kjo shihet edhe në vendin e saj të punës: mbi 80 për qind e 147 punonjësve në shtëpinë e të moshuarve “Op Lamp” janë gjermanë që kujdesen për 81 banorët e shtëpisë së të moshuarve. “Ne nuk po kërkojmë veçanërisht kujdestarë nga Gjermania,” thotë drejtoresha Mireille Wirtz-Lenertz. Por në rajonin kufitar u përhap lajmi se kushtet e punës në Luksemburg janë shumë më të mira se në Gjermani. Nuk ka pothuajse asnjë orë më shumë jashtë orarit të punës, punonjësit respektohen, ndërsa paga është pothuajse dyfish më e lartë se në Gjermani. “Unë fitoj më shumë në Luksemburg duke punuar 60% të orarit, sesa në Gjermani kur punoja me orar të plotë,” thotë Metzger.
Shqetësime ka edhe në Luksemburg
Luksemburgu me 670 mijë banorë, së fundmi ka rritur sërish pagat e punonjësve në kujdesin e të moshuarve dhe të sëmurëve. Me dhjetë vjet shërbim, një kujdestare në një shtëpi për të moshuar fiton rreth 65,000 euro në vit – plus bonuse. Ndërsa një infermiere mund të marrë rreth 100,000 euro.
Gjendja në Gjermani
Nuk kthehem!
Somaeh Metzger nuk do të kthehet në Gjermani: “Në Gjermani kam qenë përgjegjëse për nëntë ose dhjetë të moshuar në një turn, kam punuar shpesh 15 ditë pa pushim. Në Luksemburg, kam pesë persona për të cilët kujdesem”. Ajo nuk beson se gjërat do të ndryshojnë. Në Luksemburg, punëdhënësi respekton dëshirat e saj kur organizon orarin. Somaeh Metzger është jashtëzakonisht e kënaqur: “Unë mund të balancoj punën dhe jetën time private pa vështirësi”. Në Gjermani ka gjithnjë e më shumë që mendojnë si Metzger dhe largohen, jo vetëm në sektorin e kujdesit./DW