Dhimbje koke për Pep Guardiolën, ylli i skuadrës mbyll sezonin me dëmtim të rëndë
Dhimbjet e kokës nuk kanë të sosur për Pep Guardiolën.
Në momentin më delikat të sezonit, atë të sprintit final drejt arritjes së objektivave, tekniku spanjoll nuk do të ketë të gatshëm, Erling Haaland. Sulmuesi ka mbyllur sezonin, për të qënë i gatshëm vetëm në muajin qershor. Sipas asaj që pranoi edhe Guardiola në konferencë për shtyp, norvegjezi do i mungojë Cityt për të paktën 5 deri në 7 javë.
Lëndimi në kyçin e këmbës ka rezultuar fatal për 24-vjeçarin që mbyll sezonin në mënyrën më të keqe të mundshme. Autori i 30 golave në 40 ndeshjet e këtij sezoni do i mungojë anglezëve në takimet e mbetura, teksa City është në garë për të zënë vendin e katërt dhe atë që do e kualifikonte në Champions League e sezonit tjetër.
Sipas kohës së rikuperimit të treguar nga Guardiola, 24-vjeçari norvegjez do të jetë sërish në dispozicion para datës 6 qershor, kur Norvegjia do të presë Italinë në ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës së Botës 2026.
Ndërkaq, në rast se gjithçka shkon sipas parashikimeve, Haaland do zbres në fushë me Manchester Cityn në Botërorin e klubeve që nis më 14 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.