Dhërmi, ndotje në vijën bregdetare të Gjilekës – Arrestohet inxhinieri i një hoteli në ndërtim, bllokohen vilat pa çertifikim
Një rast i rëndë i ndotjes mjedisore është konstatuar në zonën turistike të Gjilekës, në fshatin Dhërmi të Himarës, ku një subjekt ndërtues ka depozituar mbetje inerte ndërtimi në afërsi të plazhit, duke dëmtuar ambientin natyror.
Si rezultat i kontrolleve të kryera nga Policia e Himarës, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), u bë arrestimi në flagrancë i inxhinierit zbatues të projektit ndërtimor, shtetasit A. Dh., 26 vjeç, për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”.
Gjatë inspektimeve u konstatuan dy shkelje kryesore:
-Depozitimi i mbetjeve inerte në vijën bregdetare, duke shkaktuar ndotje të mjedisit;
-Shfrytëzimi i objekteve të papërfunduara për strehimin e banorëve, pa përfunduar procesi ligjor i çertifikimit dhe vënies në përdorim të ndërtesave.
IKMT ka ndërhyrë duke bllokuar objektin ndërtimor dhe vilat përreth tij, ndërsa ndaj subjektit është hartuar procesverbal për kundërvajtje administrative. Objekti nuk do të lejohet të vijojë punimet pa përmbushur detyrimet ligjore dhe pa eliminuar shkeljet e konstatuara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.