Dhërmi/ Hodhi mbeturina në det dhe shkeli zonën e sigurisë, e pëson keq drejtuesi i skafit! Gjobitet me…
Një ngjarje e pakëndshme është regjistruar në plazhin e Dhërmiut, ku një drejtues skafi ka hedhur mbeturina në det gjatë pastrimit të mjetit lundrues dhe ka qëndruar në mënyrë të paligjshme brenda perimetrit të sigurisë ujore të përcaktuar për pushuesit.
Menjëherë pas denoncimeve të qytetarëve, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ndërhynë në kohë reale për të verifikuar situatën. Pasi lokalizuan mjetin lundrues, autoritetet ndëshkuan subjektin tregtar që kishte në pronësi skafin me një gjobë prej 100 000 lekësh, për shkelje të ligjit nr. 43/2020, konkretisht nenit 24/c që ndalon zhvillimin e aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara.
Ndërkohë, drejtuesi i mjetit, G. I., 25 vjeç, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Ndotja e ujërave”, pasi kishte hedhur mbeturina në det gjatë pastrimit të skafit.