Deti, historia dhe mikpritja/ Rama publikon videon me përshtypjet e turistëve për Durrësin: Jemi të magjepsur…

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të shtunë në rrjetet sociale një video promovuese me përshtypjet e turistëve të huaj nga qyteti bregdetar i Durrësit, duke e shoqëruar me një mesazh të shkurtër pozitiv.

“MIRËMËNGJES dhe nga bregdeti i Durrësit me përshtypjet frymëzuese të vizitorëve, ju uroj një fundjavë të mbarë,” shkruan Rama në postimin e tij, ku theksohet atmosfera mikpritëse dhe bukuritë që ofron ky destinacion historik dhe turistik.

Në videon e shpërndarë, turistë nga vende të ndryshme të botës shprehen të impresionuar nga historia, reliket arkeologjike dhe mikpritja që kanë gjetur në Durrës. Një prej vizitorëve thotë:

“Ne jemi nga Kalifornia. Historia e këtij vendi është jashtëzakonisht interesante. Durrësi ka shumë relika të mrekullueshme nga e kaluara. Është një qytet shumë interesant për t’u vizituar.”

Të tjerë theksojnë se kanë vizituar qytetin disa herë, por përjetimi çdo herë është i veçantë dhe i paharrueshëm.

“Kemi qenë këtu 3-4 herë. Karakteristikat si deti, vendi, shëtitjet dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Kemi sjellë edhe dy miq të tjerë me vete këtë herë. Dhe do të rikthehemi sërish me njerëz të tjerë.”