Detajet/ Vrasja në Has, autori ishte kthyer nga Anglia, qëlloi 8 herë me plumba 34-vjeçarin
Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 34-vjeçarit Ryshyt Sallahu në fshatin Tpla të Hasit, ku autori i krimit, Ylber Jaku, rezulton të jetë kthyer nga Anglia vetëm disa orë para ngjarjes.
Sipas burimeve, Ylber Jaku e ka qëlluar viktimën me 8 plumba ndërsa ai ndodhej brenda automjetit të tij. Si pasojë e të shtënave, makina ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një kanal anësor, ndërsa Ryshyt Sallahu ka ndërruar jetë në vend.
Ngjarja dyshohet se lidhet me një konflikt të nisur disa ditë më parë për motive pronësie, ku motra e viktimës, Artjola Sallahu, 21 vjeçe, kishte dhunuar fizikisht prindërit e Ylber Jakut, Agim Jaku, 65 vjeç, dhe Vera Jaku, 60 vjeçe. Çifti i të moshuarve ndodhet në spital në gjendje të rëndë, me gruan që ka pësuar fraktura të rënda në legen.
Artjola Sallahu u arrestua dje nga policia e Hasit, ndërsa Ylber Jaku vendosi të hakmerret sot për dhunën e ushtruar ndaj prindërve të tij. Ndërhyrja e shpejtë e forcave të rendit çoi në arrestimin e tij menjëherë pas vrasjes.
Policia ka sekuestruar armën e krimit, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet e konfliktit mes dy familjeve.