Detajet tronditëse/ “E vrava, pastaj e groposa” – Italiani pranon vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar, zbulon ku e fshehu trupin

Një krim i rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri. Trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar është gjetur i varrosur në zonën San Severino të Centolës, në provincën e Salernos, disa ditë pas zhdukjes së tij. I riu dyshohej se ishte pjesë e një tentative për grabitje të dielën e kaluar në Foria di Centola, ku kishte hyrë bashkë me dy persona të tjerë në banesën e një 60-vjeçari italian.

Pas disa ditësh hetimesh, pronari i shtëpisë është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurori, i shoqëruar nga avokati i tij. Ai ka rrëfyer se kishte qëlluar mbi të riun pas një përplasjeje me grabitësit, e më pas, në gjendje paniku, kishte transportuar trupin në një parcelë që i përkiste vëllait të tij dhe e kishte groposur pranë një fushe sportive.

Në dëshminë e tij, 60-vjeçari ka deklaruar:

“E vrava pas përplasjes… më pas e mora trupin dhe e çova në truallin e vëllait. Nuk dija ç’të bëja tjetër.”

Mediat italiane raportojnë se viktima ishte baba i një fëmije dhe në prag martese. Gjatë grabitjes, autorët kishin arritur të merrnin edhe një armë zjarri nga banesa, e cila dyshohet se është përdorur gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Një tjetër nga grabitësit shqiptarë është plagosur rëndë në gjoks dhe ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cardarelli” të Napolit, ndërsa personi i tretë është ende në kërkim nga autoritetet italiane.