Detajet/ Të shtëna me armë zjarri në Malësinë e Madhe, dy persona hapin zjarr ndaj policisë

Mbrëmjen e sotme janë regjistruar të shtëna me armë zjarri në fshatin Linaj, njësia administrative Gruemirë, në Bashkinë e Malësisë së Madhe.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes dy personave dhe forcave të policisë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pasi efektivët e policisë kishin hequr disa kamera sigurie në këtë zonë, moment në të cilin dy persona kanë hapur zjarr në drejtim të tyre.

Forcat e Policisë së Malësisë së Madhe dhe ato të Shkodrës janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të vënë situatën nën kontroll dhe për të identifikuar autorët.

Deri më tani nuk raportohet për të plagosur, ndërsa disa shtetas janë shoqëruar në komisariatin e Malësisë së Madhe për t’u marrë në pyetje. Hetimet po vijojnë për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.