DETAJET/ Shpërthimi në Fushë Krujë, zbërthehen qelitë e burgut, çfarë u gjet nga kontrolli
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Burgjeve dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, ka nisur hetimet pas një shpërthimi të ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë rrethimit të jashtëm të Burgut të Fushë-Krujës.
Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se është përdorur një lëndë plasëse e përbërë nga nitrat dhe elementë tretës, e cila është hedhur nga jashtë rrethimit të burgut, në drejtim të zonës ku ndodhen gjeneratorët, rreth 200 metra larg godinës së administratës. Rrethimi i qelive ndodhet edhe më tej.
Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në të gjithë perimetrin e sigurisë dhe në çdo qeli të burgut. Nga kontrolli nuk është konstatuar asnjë send i paligjshëm në posedim të të burgosurve.
Po ashtu, janë nisur verifikime për personat që kanë pasur takime së fundmi me të dënuarit me rrezikshmëri të lartë, në përpjekje për të identifikuar ndonjë lidhje të mundshme me shpërthimin.
Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë të vendosura në zonën përreth, me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm që kanë vendosur lëndën shpërthyese.
Policia nuk përjashton asnjë pistë, duke përfshirë një mesazh kërcënues, apo edhe një tentativë për arratisje nga ndonjë i burgosur.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, ndërsa priten rezultate nga analizat teknike dhe verifikimet në ditët në vijim.
Njoftimi:
Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit. Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar strukturat përkatëse: Policinë e Shtetit, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorinë.
Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori, duke ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sasi e dyshuar lënde plasëse. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar dhe nuk ka dëme materiale.
Grupet hetimore ndodhen në ende në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve të mundshëm.
Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Pamjet filmike të sigurisë janë administruar dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale nga grupi hetimor. Gjithashtu, po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të ndihmuar në identifikimin e autorëve.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton siguri brenda regjimit të banuar nga të paraburgosurit dhe të dënuarit.