Detajet/ Sherri për pronën doli jashtë kontrollit në Fier-Seman, 50-vjeçari qëlloi me armë pas dhunës nga i vëllai dhe shoku i tij
- 9 April, 2025
Konflikti për pronën përfundon me armë zjarri në Fier-Seman: 50-vjeçari qëllon pas dhunës nga i vëllai dhe shoku i tij
Një konflikt për motive pronësie mes dy vëllezërve ka përshkallëzuar në përdorimin e armës në Fier-Seman, në njësinë administrative Gradishtë, bashkia Divjakë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 8 prillit dhe përfshiu shtetasit Shpëtim Konja, Zarif Konja dhe një person të tretë, Astrit Godanci.
Sipas informacioneve të para, gjithçka nisi me një debat verbal që degjeneroi në dhunë fizike, ku Shpëtim Konja, 50 vjeç, u godit me grushte nga vëllai i tij, Zarif Konja, 58 vjeç, dhe shoku i këtij të fundit, Astrit Godanci, 57 vjeç. Në përpjekje për t’u vetëmbrojtur pas dhunës së ushtruar ndaj tij, Shpëtim Konja ka marrë armën e gjahut që e kishte me leje dhe ka qëlluar katër herë, në ajër dhe drejt automjetit të Astrit Godancit.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar në njerëz, por u dëmtua mjeti tip fuoristradë i Godancit, i cili ndodhej i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.
Menjëherë pas incidentit, policia shoqëroi në komisariat Shpëtim Konjën, ndërsa Zarif Konja dhe Astrit Godanci janë shpallur në kërkim dhe vijojnë të jenë në arrati. Policia ka sekuestruar armën e gjahut dhe katër gëzhojat e gjetura në vendngjarje.
Grupi hetimor po punon për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.
Regjistrohu në buletinin tonë informativ