Detajet/ “Pse më sheh” – Debati në afërsi të Kishës së Laçit përfundon me armë zjarri, 5 të plagosur

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e ndodhur në afërsi të Kishës së Laçit, ku një konflikt verbal mes disa personave ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri dhe plagosjen e pesë personave.

Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka nisur për një motiv banal, kur njëri nga personat i është drejtuar tjetrit me fjalët “Pse më sheh?”. Kaq ka mjaftuar që situata të përshkallëzohej me shpejtësi.

Dyshohet se një nga të përfshirët ka zbritur nga automjeti me dorezë hekuri dhe është përleshur fizikisht me një tjetër. Pak çaste më pas, një tjetër person ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar, duke lënë të plagosur pesë persona.

Policia ka identifikuar personat e plagosur. Nga të shtënat me armë ka mbetur e plagosur, Angjelina Gjezaj, shitëse ambulante, Liridon Ismaili, Amarildo Ndoj, Daniel Gjeloshi rreth 30 vjeç.

Amarildo Ndoj ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Kurbin/Informacion paraprak

Rreth orës 13.30, pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit midis disa personave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit L. I., A. Gj., G. N., A. N, dhe D.Gj, të cilët janë dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin ngjarjes, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e disa personave dhe në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plote të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, si dhe për kapjen e shtetasit që qëlloi me armë gjatë konfliktit të çastit, i cili është identifikuar nga ana jonë dhe vijon puna për kapjen e tij.