Detajet/ Ngjarja tragjike në Itali ku dy motrat shqiptare bien nga kati i katërt, dyshimet e para dhe postimi shqetësues i viktimës në rrjetet sociale

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Gjenovës, Itali, ku dy motra shqiptare kanë rënë nga kati i katërt i një pallati. Si pasojë e rënies tragjike, njëra prej tyre, 32-vjeçare, ka ndërruar jetë në vend, ndërsa motra tjetër, 36 vjeçe, është transportuar me urgjencë në spitalin San Martino, ku ndodhet në gjendje shumë të rëndë.

Autoritetet italiane janë duke hetuar ngjarjen për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e incidentit. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se mund të ketë qenë një tentativë vetëvrasjeje e njërës prej grave, ndërsa motra tjetër mund të jetë përfshirë duke tentuar ta ndalojë. Një tjetër pistë që po shqyrtohet është mundësia e një tentative të dyfishtë për vetëvrasje.

Mediat italiane raportojnë se viktima, një nënë e katër fëmijëve të moshave nga disa muajsh deri në nëntë vjeç, po përballej me një situatë të vështirë familjare. Në ditët e ardhshme pritej të mbahej një seancë gjyqësore për kujdestarinë e fëmijëve të saj, pas ndarjes nga bashkëshorti, i cili më parë ishte dënuar për dhunë ndaj saj.

Para tragjedisë, viktima kishte shkruar një mesazh shqetësues në rrjetet sociale: “Zoti më pret”, duke shtuar dyshimet se ajo mund të ketë ndërmarrë një hap fatal për shkak të presionit psikologjik.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali dhe po trajtohet me shumë kujdes nga autoritetet vendase për të zbuluar të vërtetën e plotë pas kësaj tragjedie.