Detajet nga aksidenti tragjik me Jet Ski në Shkëmbin e Kavajës/ Humb jetën turisti angelez, në gjendje të rëndë një 31-vjeçare

Një aksident i rëndë me Jet Ski ndodhi paraditen e 1 qershorit 2025 në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, ku dy persona humbën kontrollin dhe ranë në ujë. Nga ngjarja, turisti 34-vjeçar S. O., banues në Angli, humbi jetën, ndërsa 31-vjeçarja V. B., gjithashtu banore në Angli, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe u dërgua menjëherë në spital.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:15, kur Policia Kufitare në Portin e Durrësit u njoftua për incidentin dhe reagoi menjëherë, duke dërguar mjet lundrues për shpëtimin e personave të përfshirë. Pas nxjerrjes nga uji, të dy u transportuan në port dhe më pas në spital.

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.