Detajet/ Dokumente false dhe… Operacioni i përbashkët SPAK–Belgjikë në Berat, kontrollohen 4 banesa, arrestohet një 33-vjeçar (Emri)

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar mbrëmjen e së martës në qytetin e Beratit, me urdhër të SPAK dhe në bashkëpunim me autoritetet belge. Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe efektivë të policisë belge ushtruan kontrolle në katër banesa në qytetin e Kuçovës, konkretisht në lagjet “11 Janari” dhe “1 Maji”.

Kontrollet u realizuan në kuadër të një letërporosie të ardhur nga Belgjika dhe kishin për qëllim verifikimin e pasurive të disa personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Fillimisht, inspektimet u kryen në tri banesa të familjeve me mbiemrin Zeneli – dy vëllezër dhe një kushëri – por nuk u konstatua asnjë material i kundërligjshëm.

Më pas, oficerët e BKH-së dhe kolegët belgë ushtruan kontroll në banesën e shtetasit Hyda Vila, 33 vjeç, në lagjen “11 Janari”, ku gjetën dhe sekuestruan:

-1 kartë identiteti greke,

-1 leje drejtimi greke,

-1 pajisje elektroshoku,

-disa fishekë për armë gjahu.

Dy dokumentet greke dyshohen si të falsifikuara, ndërsa për pajisjen elektroshoku dhe municionin, po kryhen hetime për ligjshmërinë e posedimit të tyre. Si pasojë, Hyda Vila u arrestua dhe ndaj tij janë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat.

Sipas burimeve hetimore, dyshimet e autoriteteve belge lidhen me përfshirjen e personave nën hetim në aktivitet të paligjshëm të shitjes së drogës në territorin belg.

Qëllimi kryesor i operacionit ishte evidentimi i pasurive të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, përfshirë të luajtshme dhe të paluajtshme.