(DETAJET) Arrestimi i vrasësve shqiptarë me pagesë në Greqi, policia sekuestron armë dhe një shumë të madhe eurosh

Policia greke ka dhënë një njoftim zyrtar pas arrestimit të dy shqiptarëve, të dyshuar si vrasës me pagesë, për vrasjen e 47-vjeçarit Irakli Davella dhe plagosjen e 46-vjeçarit Edi Lulo (alias Etmond Hysa) në Athinë më 15 dhjetor 2024.

Operacioni i zhvilluar në “Peristeri” dhe “Nea Smyrni” të Athinës çoi në arrestimin e Jenis Tulja, 44 vjeç, nga Tirana, dhe Mirjan Guveli, 45 vjeç, nga Saranda. Ata akuzohen për veprat penale “organizatë kriminale”, “vrasje”, “armëmbajtje pa leje”, “falsifikim” dhe “mbajtje lëndësh narkotike”.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi kur dyshuarit i afruan tre viktima që ishin në këmbë dhe qëlluan ndaj tyre, duke shkaktuar vdekjen e 47-vjeçarit Davella dhe plagosjen e dy të tjerëve, përfshirë 46-vjeçarin Edi Lulo. Pas krimit, autorët janë larguar me automjet.

Gjatë operacionit, janë sekuestruar dy armë “Kallashnikov”, një armë “Scorpions”, dy jelekë antiplumb, 118 fishekë, krehëra, silenciatorë, pranga, thika, pajisje TASER, GPS, 6 gramë marijuanë, celularë, 5 automjete dhe një shumë prej 79,500 eurosh. Të dyshuarit përdorën katër mjete dhe ndryshuan targat për të shmangur identifikimin, duke përdorur një strategji të sofistikuar për të mbajtur një profil të ulët dhe për të shmangur zbardhjen e ngjarjes.