Detaje tronditëse nga vrasja e Rayyan Alwan! E dhunuar nga prindërit, kërcënuar nga vëllezërit dhe ekzekutuar nga i ati për “nder”

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tronditëse që ndodhi një javë më parë në Tiranë, ku një 24-vjeçare palestineze, Rayyan Alwan, u gjet e vrarë në një shtëpi të marrë me qira.
Vrasja e saj ka ngjallur shumë pyetje, pasi personi që e shoqëronte, babai i saj, Fadi Alwan, dyshohet se është autori i krimit. Pas ngjarjes, Fadi është larguar nga Shqipëria në drejtim të Holandës dhe më pas në Liban.
Policia shqiptare ka nisur hetimet dhe është drejtuar tek autoritetet gjermane për të marrë informacion pas zbulimit se numri i telefonit që përdornin baba dhe vajza për të rezervuar biletat online ishte në pronësi të një shtetasi gjerman. Hetimet kanë zbuluar detaje tronditëse rreth familjes së viktimës.

Fadi Alwan ishte i ndarë prej kohësh nga bashkëshortja e tij, ndërsa një vit më parë, Rayyan kishte denoncuar në policinë gjermane se ishte dhunuar nga të dy prindërit e saj. Sipas saj, arsyeja e dhunës ishte se ajo nuk ishte një praktikante e rregullt e fesë islame.

Rayyan Alwan kërcënohej jo vetëm nga prindërit, por edhe nga vëllezërit e saj. Ajo dëshironte të jetonte një jetë më të lirë, por kjo nuk u pëlqente familjarëve të saj që jetonin në Berlin. Për më tepër, rezulton se Rayyan ishte e martuar dhe kishte dy fëmijë në Liban, ku ish-bashkëshorti i saj jeton.

Një nga hetimet kryesore ka të bëjë me denoncimet e vajzës në policinë gjermane, ku ajo kishte thënë se ishte kërcënuar dhe dhunuar nga prindërit dhe vëllezërit për shkak të dëshirës për të jetuar një jetë të pavarur dhe demokratike. Ky informacion ka orientuar hetimet drejt një konflikti të thellë familjar, duke e bërë Fadi Alwan të dyshuar kryesor për vrasjen.