Detaje të reja pas sekuestrimit të 500 kg kokainë në fabrikën e kafesë në Zvicër, kush është një nga dy shqiptarët e arrestuar
Është zbuluar identiteti i një prej të arrestuarve në Zvicër, pas kapjes së një ngarkese me 500 kg kokainë. Ai është Mario Marashi, 33 vjeç, banues prej 10 vitesh në Busto Arsizio në Itali dhe me nënshtetësi italiane prej 2022. Ai mësohet se është një nga tre personat e arrestuar dhe është ekstraduar në Zvicër.
Ndërkaq janë zbuluar edhe detaje të reja lidhur me këtë operacion. Më 2 maj 2022, duke hapur një kontenier, një punonjës i fabrikës “Nespresso” në Romont të Zvicrës zbuloi 500 kilogramë kokainë. Nuk ishte menduar të përdorej në përbërjen e kapsulave të kafesë dhe prodhuesi nuk angazhohej në trafik për të përballuar jetesën. Droga sigurisht që nuk duhet të kishte arritur kurrë aty por të ishte marrë nga trafikantët më parë.
Prokuroria Publike e Kantonit të Friburgut nuk gjeti përgjigje dhe e pezulloi hetimin. Por ishte hetimi në Basel-Landschaft që arriti të zgjidhte misterin. Kjo sepse kontejneri kalonte përmes këtij kantoni, më saktë përmes Frenkendorfit, në depon e kompanisë Swissterminal AG.
Dy ditë para zbulimit të kokainës në Romont, gjatë natës, dy burra u pikasën mes kontejnerëve. Njëri u largua para se të vinte policia, tjetri u kap. Ishte një shqiptar me banim në Itali, i cili pretendonte se kishte marrë një rrugë të shkurtër përmes magazinës.