Detaje të reja nga vrasja e shqiptarit në Itali, konflikti për pronësinë i merr jetën 43-vjeçarit para syve të të birit
Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen tragjike të 43-vjeçarit shqiptar, Vladimir Topjana, i cili u qëllua për vdekje mbrëmjen e 6 prillit në Fontanafredda të Italisë. Sipas mediave italiane, krimi ndodhi pas një konflikti të ashpër për motive pronësie me një bashkatdhetar, Roger Shota, 34 vjeç, i cili tashmë ndodhet në pranga.
Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali, ndërsa Topjana ndodhej me djalin e tij 17-vjeçar për të ndjekur ndeshjen Roma-Juventus. Sipas dëshmive, teksa po qëndronte në parking duke folur me një të afërm, një makinë e bardhë iu afrua. Nga automjeti dolën dy persona që nisën një debat verbal me viktimën, i cili përshkallëzoi shpejt në dhunë.
Njëri nga autorët, i identifikuar si Roger Shota, qëlloi me armë ndaj 43-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Në makinën e tij, që u braktis pas tentativës për t’u arratisur, u gjet arma e krimit, një pistoletë Beretta kalibri 7.65, e raportuar e vjedhur në gusht të vitit të kaluar në zonën e Bagnocavallo-s në Ravenë.
Në pranga përfundoi edhe babai i autorit, Pren Shota, 66 vjeç, i cili ndodhej në makinë në momentin e ngjarjes dhe dyshohet se ka bashkëpunuar me të birin.
Viktima, Vladimir Topjana, jetonte në Cordenons me bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij. Ai punonte si shofer për kompaninë Ghiaie Dell’Agnese në Porcia dhe njihej si një person i qetë dhe i përkushtuar ndaj familjes.
Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e konfliktit fatal.