Detaje të reja nga vrasja e shqiptarit në Greqi/ E qëlloi në fytyrë, si arriti viktima t’i shpëtonte autorit dhe të telefononte gruan

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 41-vjeçarit shqiptar Altin Arapaj, i cili u gjet i pajetë në një vresht në zonën e Rafinas në Greqi.

Mediat greke raportojnë se viktima u thirr në një takim që përfundoi në “takim vdekjeje”, pasi aty u qëllua me armë nga bashkëkombasi i tij, Mikel Selimaj, 46 vjeç, me origjinë nga Vlora.

Sipas burimeve të protothema.gr, gjithçka nisi të zbulohej të mërkurën në mëngjes, kur bashkëshortja e Arapajt njoftoi autoritetet se kishte marrë një telefonatë nga burri i saj. Në atë telefonatë, 41-vjeçari i kishte treguar emrin e autorit që e kishte qëlluar në fytyrë, duke i kërkuar të përpiqej ta gjente sa më shpejt, pasi po gjakosej rëndë.

Nga hetimet rezulton se viktima, autori dhe dy persona të tjerë ishin takuar mbrëmjen e së martës në Artemidha. Më pas, ata janë nisur me një automjet, në drejtim të Rafinas, i drejtuar nga Mikel Selimaj. Kur ndodheshin në kryqëzimin e rrugëve “Pefkon” dhe “Arionos”, Selimaj nxori armën dhe e qëlloi Arapajn në faqen e majtë.

I plagosur rëndë, 41-vjeçari zbriti nga makina dhe u përpoq të largohej në këmbë. Gjeti forcë të telefononte gruan e tij për t’i treguar se ishte qëlluar, por fatkeqësisht ndërroi jetë pak më vonë në mes të vreshtit, ku u gjet më pas nga policia.

Autori, Mikel Selimaj, është në arrati dhe po kërkohet nga autoritetet greke. Të dy, si viktima ashtu edhe autori, kanë qenë më parë në fokus të hetimeve për përfshirje në raste të trafikut të drogës.