Detaje të reja nga dosja e Dakos, GJKKO: 12 vjet ndërtim pa leje, ish-kryebashkiaku e legalizoi për 7 muaj
Urdhër arresti ndaj Vangjush Dakos është evaziv në përcaktimin e shkeljeve për pallatin e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Në vitin 2014 me zbardhjen e lejes, Dako sipas SPAK ka legalizuar 4 katet shtesë në godinën 11-katëshe që nisi me 7 të tilla. Por gjyqtari Erion Bani thotë se i gjithë objekti u ndërtua pa një leje e cila u zbardh dy vjet pasi godina kishte përfunduar.
Kërkesa e prokurorisë së posaçme për caktimin e masës arrest me burg ndaj ish-kryebashkiakut Vangjush Dako dhe 9 të pandehurve të tjerë duket e dyzuar në identifikimin e përgjegjësisë penale lidhur me pallatin e dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019. Në një pjesë të madhe të dokumentit prej 76 faqesh, SPAK flet për katër kate shtesë mbi projektin fillestar, por në disa fragmente të tjera të dokumentit, në pjesën e analizës së fakteve, aludohet se godina ka qenë totalisht pa leje në vitin 2012 kur ka përfunduar, ndërsa leja është zbardhur dy vjet më vonë, në 2014.
“Soleta e katit të 11 papafingo është hedhur në 26 Shtator 2011. Pra, konstatohet se ndërtimi në katet 8, 9, 10, dhe 11 (katet shtesë) janë ndërtuar para miratimit nga K.Rr.T. e Bashkisë Durrës, të lejes së dytë të rikondicionimit dhe të shtesës së katit. Nga kjo rezulton se edhe nëse ka një leje të tillë të miratuar me vendimin e K.RR.T. pranë Bashkisë Durrës për rikondicionim, ajo thjesht ka legjitimuar ndërtimin pa leje të katër kateve, ndërkohë që nga dokumentacioni rezulton se edhe nëse do të ishte kështu, përsëri leja e ndërtimit të rikondicionimit, nuk është zbardhur në këtë kohë, por vetëm në datën 14 Tetor 2014, dhe si akt administrativ do të duhet të sillte efekte vetëm pas kësaj date”-thuhet në pikën 18 të faqes 8 në dosjen e SPAK.
Në faqen 53 theksohet se Vangjush Dako dhe Adhurim Qehahaj kanë bërë zbardhjen e vendimit të KRRT-së për miratimin e lejes së ndërtimit në datën 14 tetor 2014, dy vjet pasi objekti kishte përfunduar së ndërtuari nga subjekti “Fakle sh.p.k”, edhe pse ishin vënë në dijeni më parë nga Inspektoriati Urbanistik Vendor se kishte probleme lidhur me zbatimin e punimeve. Duke iu referuar ligjit “për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, SPAK dhe GJKKO, pa evidentuar numër katesh, thonë se me veprimet e tyre, kryebashkiaku i kohës në Durrës dhe vartësit e tij, kanë legjitimuar një ndërtim pa leje.
“Gjykata e çmon të drejtë analizën e prokurorisë se personat nën hetim Vangjush Dako dhe Adhurim Qehajaj jo vetëm që nuk kanë marrë masa për mbrojtjen e territorit në varësi të tyre, por i kanë kryer këto veprime, me qëllim për të legalizuar ndërtimin e paligjshëm, dhe duke i hapur rruge regjistrimit në regjistrat e pasurive te paluajtshme. Pra, në rastin konkret kemi legalizimin me leje ndërtimi, të një objekti të ndërtuar më parë pa leje. Pasojat që kanë ardhur në rastin konkret lidhen me legalizimin e një ndërtimi të paligjshëm pa plotësuar kushtet teknike, ku nuk plotësonte kushtet sizmike për t’u ndërtuar. Për rrjedhojë si rezultat i mungesës së këtyre kushteve teknike është bërë i pabanueshëm si rezultat i tërmetit”- thuhet në dosje.
Në vendimin e gjyqtarit Erion Bani, theksohet më tej se nga analiza e provave të paraqitura nga prokuroria deri në këtë fazë të hetimit, provohet ekzistenca e dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova ndaj persona në hetim Vangjush Dako dhe Adhurim Qehajaj për episodin e legalizimit me leje ndërtimi, të një objekti të ndërtuar më parë pa leje, duke plotësuar kështu elementët e figurës së veprës penale “shpërdorim detyre”. (faqe 53)
“Nëpërmjet akteve të përpiluara në një hark të shkurtër kohor, qëllimi i vërtetë i zyrtarëve të bashkisë së Durrësit, por edhe ndërtuesit ka qenë pajisja me dokumentacion tekniko-ligjor e ndërtimit të objektit i cili jo vetëm kishte përfunduar shumë kohë më parë, por edhe objektivisht ka qenë e pamundur të ndërtohej në një afat kohor prej shtatë muajsh, gjatë të cilit janë përpiluar dokumentet e sipërcituara”-theksohet në faqen 55 të dosjes.
Gjykata citon se pas zbardhjes së lejes në vitin 2014, bashkia e Durrësit ka vijuar veprimet duke përllogaritur dhe autorizuar një vit më vonë në 2015, pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga kompania private e ndërtuesit Fiqiri Faruku. SPAK citon në dosje, se ecurinë e punimeve të godinës që nisi me 7 kate dhe përfundoi me 11 të tilla, e ka ndjekur edhe nga pamjet e Google. konkretisht nga akti i ekspertimit të ekspertes Irma Sula, rezulton se nga fotografimet ajrore të objektit nëpërmjet Google Earth dhe Ortofoto, punimet e ndërtimit kanë filluar në Dhjetor 2010-Janar 2011 dhe kanë përfunduar para datës 14 Gusht 2012, referuar fotos së marrë nga Google Maps në këtë datë.