Detaje të reja nga arrestimi i Roven Zekës/ Si një aksident rrugor i një gruaje zbuloi skemën e korrupsionit dhe e çoi atë në pranga
Zbardhen detaje të reja lidhur me arrestimin e bujshëm të shefit të Qarkullimit Rrugor në Tiranë, Roven Zeka. Burime konfidenciale bëjnë me dije se gjithçka nisi pas përfshirjes së një gruaje në një aksident rrugor, çka u bë shkak për nisjen e një serie komunikimesh mes bashkëshortit të saj dhe zyrtarëve të policisë rrugore.
Nga hetimet rezulton se bashkëshorti i gruas kishte hyrë në kontakt me zyrtarë të Qarkullimit, në përpjekje për të zgjidhur çështjen në favor të saj. Ajo që nuk dinin palët ishte se prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte prej kohësh në përgjim Roven Zekën për një tjetër çështje në hetim. Pikërisht nga këto përgjime u zbulua se ishin ofruar para në këmbim të mbylljes së dosjes së aksidentit.
Pas këtij zbulimi, SPAK ka lëshuar menjëherë urdhërarrest ndaj Zekës, i cili tentoi të arratisej me vrap në momentin e ndërhyrjes së agjentëve të BKH-së dhe AMP-së, por u neutralizua dhe u prangos në vend.
Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe Sokol Novaku, shefi i sektorit të Aksidenteve, dhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku. Ky i fundit është arrestuar një ditë më parë.