Detaje të reja/ Autorët përdorën “Land Rover” me targa të Malit të Zi… dogjën makinën në Grudë dhe…

Makina e përdorur në atentatin e Shkodrës ku mbeti i vrarë Hamza Lici dhe një grua, si edhe dy të tjerë të plagosur rëndë kishte targa të huaja. Automjeti tip Land Rover ishte e pajisur me targa të Malit të Zi, gjithsesi nuk ka ngjallur aspak kureshtjen e autoriteteve në Shkodër.

Madje në kryeqendrën e veriut asnjë nuk është kujtuar se kush është në drejtimin e saj. Edhe njëherë,Policia nuk arriti të reagojë, duke lënë shteg të lirë për një prej atentateve më të rënda gjatë këtij viti.

Në Shkodër kanë qënë dy automjete me targa të Malit të Zi që kanë qarkulluar prej orësh, pra një skenar filmi i vërtetë. Dobraçi është parë si zona më e përshtatshme për të sulmuar dhe kjo ndikuar edhe nga fakti që në atë segment numri i kamerave të sigurisë është tepër i ulët për të mos thënë asnjë.

Por kush fshihet pas këtij atentati që pavarësisht se la të vdekur një eksponent të krimit, shkaktoi edhe viktimën e pafajshme, duke lënë në luftë me plagët e rënda edhe bashkëshortin e saj. Si në çdo skenar të atentateve të bujshme, një makinë digjet dhe kësaj radhe ishte një foristradë tip Land Rover tip i ri. Një arsyeje më shumë për të ngritur dyshime rreth personave që ishin mbi të. Mjeti u përfshi nga flakët e vendosura nga autorët në zonën e Grudës së Re, e ku të shkrumbuara ishin edhe dy automatikë.