Daut Laze, 49 vjeç, është arratisur nga burgu i Shënkollit duke shfrytëzuar një moment pa mbikëqyrje gjatë qëndrimit në sektorin e trajtimit mjekësor. Sipas këqyrjes paraprake të kamerave të sigurisë, Laze nuk është ndihmuar nga stafi i burgut, por ka vepruar i vetëm.
Ai ka dalë në ajrim dhe aty ka gjetur një llamarinë, të cilën e ka përdorur për t’u ngjitur mbi murin 4 metra të lartë të burgut. Pas kapërcimit të murit dhe rrjetës rrethuese, 49-vjeçari është larguar me vrap drejt fushave përreth burgut.
Policia ka nisur kërkime intensive për kapjen e tij, duke u përqendruar në zonën përreth burgut të Shënkollit, si dhe në qytetet Lezhë, Tiranë, Çorovodë dhe qytete të tjera. Operacioni është në vijim, pasi Daut Laze konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë për shkak të çrregullimeve të shëndetit mendor.
Për këtë ngjarje janë arrestuar tre punonjës të burgut, të cilët dyshohen për shpërdorim detyre:
• Gjin Ndoka, punonjës në shërbim në kupolën e burgut
• Tonin Nikolli, punonjës në sektorin e sigurisë
• Zhaneta Mella, operatore kamerash
Hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka pasur bashkëpunim të brendshëm ose pakujdesi të qëllimshme që çoi në arratisjen e 49-vjeçarit.