Detaje nga vrasja makabre e tre vajzava nga babai: I mbyti me qese në kokë dhe u lidhi duart
Shtetet e Bashkuara janë tronditur nga ngjarja e rëndë ku tre motrat, 9-vjeçarja Paytin, 8-vjeçarja Evelin dhe 5-vjeçarja Olivia, u vranë nga babai i tyre, 32-vjeçari Travis Decker.
Sipas dokumenteve të hetimit, trupat e fëmijëve u gjetën me qese në kokë dhe duart e lidhura në një zonë pranë një kampingu në Wenatchee, shteti i Uashingtonit. Hetimet paraprake mjeko-ligjore tregojnë se shkaku më i mundshëm i vdekjes ishte asfiksia.
Viktimat ishin veshur me të njëjtat rroba që kishin ditën kur u zhdukën të premten e kaluar, në momentin kur Decker i mori për një vizitë të planifikuar nga shtëpia ku jetonin me nënën e tyre, pa i treguar asaj destinacionin.
Në furgonin e babait janë gjetur dy njolla gjaku, ndërsa të dhënat nga përdorimi i telefonit të tij tregojnë se të shtunën ai ndodhej në zonën ku u gjetën trupat e fëmijëve.
Policia vazhdon kërkimet për kapjen e 32-vjeçarit, i cili akuzohet për rrëmbim dhe vrasje. Decker është veteran ushtarak, ish-parashutist dhe trajner në qendra të ushtrisë amerikane, por sipas familjes kishte probleme serioze psikologjike dhe ishte diagnostikuar me çrregullim kufitar të personalitetit.
Ish-bashkëshortja e tij, e cila ka kërkuar divorcin vitin e kaluar, kishte paralajmëruar për gjendjen e tij të rënduar dhe sjelljet agresive ndaj familjes. Për kapjen e tij është vendosur një shpërblim prej 20,000 dollarësh.