Detaje nga vdekja e biznesmenit Nelaj në Sarandë, do i vendoste tritol anijes konkurrente, por shpërtheu dhe i mori jetën! Në pranga miku, pronar i ‘Erdano Tours’
SARANDË– Biznesmeni Armandi Nelaj ndërroi jetë më 24 qershor pas një shpërthimi që tronditi Portin e Sarandës. Ngjarja u mbush plot me mistere. Fillimisht u dyshua se ishte një polumbar të cilit i kishte shpërthyer bombola e oksigjenit, më pas hetimet e policisë u përqendruan drejt pistës së një atentati ndaj biznesmenit 52-vjeçar.
Një muaj më pas, Policia e Sarandës zbardh ngjarjen e rëndë duke i thënë fund misterit. Sipas Policisë, Nelaj ka humbur jetën pas shpërthimit të një tritoli, por në fakt ndaj tij nuk ishte planifikuar atentat. Nelaj bashkë me mikun e tij, Eridion Muho kishin planifikuar që t’i vendosnin tritol një anije turistike, ‘Finikas Lines’, për motive konkurrence.
Mbrëmjen e 24 qershorit 2024, me ndihmën e mikut Muho, Nelaj ngarkoi lëndën eksplozive në një varkë të vogël dhe u nis drejt anijes ‘Finikas Lines’. Por, plani nuk i ka shkuar siç duhet, pasi tritoli ka shpërthyer gjatë tentativës për ta transportuar e vënë në anije, duke i marrë jetën fatkeqësisht biznesmenit Nelaj.