Detaje nga plagosja e shqiptarit në Greqi/ 50-vjeçari arriti të identifikojë autorin! Çfarë ka ndodhur dy muaj me parë
Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me plagosjen e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi.
Mediat në shtetin helen raportojnë se shkak i plagosjes ka qenë një mosmarrëveshje mes personit të plagosur dhe autorit.
Në dëshminë e tij në polici ai ka deklaruar se teksa qëndronte jashtë makinës së tij, i është afruar një mjet nga ku kanë zbritur dy persona dhe një motoçikletë po me dy persona të tjerë.
Njëri prej tyre e ka sulmuar, ka debatuar me të dhe e ka goditur me thikë tre herë në veshka.
Menjëherë pas ngjarjes, autori dhe personat që dyshohet se ishin me të janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i plagosuri ka ecur rreth 50 metra dhe ka kërkuar ndihmë nga punonjësja e një dyqani. Ndonëse e tronditur, ajo i lidhi plagët me peshqir dhe thirri ambulancën dhe autoritetet.
Ndërkohë mësohet se dy-tre muaj më parë ata janë përleshur nën efektin e alkoolit dhe i plagosuri dyshohet se kishte sharë autorin.