DETAJE/ Akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, mbahet seanca për Arbër Paplekajn

Ka nisur seanca në Gjykatën e Apelit për Arbër Paplekajn, ish-efektivin e RENEA-s, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2021.

Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur rihapjen pjesërisht të procesit.

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm pranoi me 4 Mars kërkesën e Arbër Paplekaj, për kryerjen e një ekspertimi kriminalistik ne vendin e ngjarjes, për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Mësohet se një ekspert i Institutit të Policisë Shkencore dhe 2 ekspert të pavarur do rindërtojnë skenën e krimit.

Arjan Hanko, pranë Institutit të Policise Shkencore, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, ekspert i pavarur.

Paplekaj është dënuar me 22 vite burg nga shkalla e parë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në prill të vitit 2021 pak dite para zgjedhjeve parlamentare.

Paplekaj ka kërkuar edhe rikualifikim të veprës penale nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”.

Prokuroria sot pritet të japë informacion edhe për procedimin e pezulluar për personat e tjerë që kanë qëlluar me armë zjarri në vendin e ngjarjes gjatë përplasjes së grupeve të militantëve të PS dhe PD, mes atyre të ashtuquajtur anëtarë të strukturës së mbrojtjes së votës dhe mbështetësve socialistë.

Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe 2 ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Alber Nushi.