Dështon sërish seanca ndaj Dritan Dajtit në Gjykatën e Elbasanit, zbardhet arsyeja! Vrasësi i katër policëve kërkon lirimin nga qelia
Ka dështuar sërish seanca e sotme gjyqësore e kërkuar nga Dritan Dajti në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Shkak i dështimit të seancës sipas avokatit mbrojtës, ishte mosparaqitja në seancë e gjyqtares Thomaidha Roca.
Mësohet se gjyqtarja ka paraqitur raport mjekësor pasi prej ditësh ka probleme shëndetësore. Gjykata nga ana e saj e ka njoftuar paraprakisht avokatin mbrojtës për mungesën e saj në seancën e planifikuar për t’u zhvilluar sot në orën 09:30.
Edhe seanca e kaluar dështoi për të njëjtën arsye. Dritan Dajti, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, i ka kërkuar gjykatës deklarimin e përfundimit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me 25 vjet burgim.
Ai kohë më parë ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.