Dështoi zgjedhja e Papës së ri, tym i zi ngrihet nga Kapela Sistine në Vatikan

Nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan u ngrit sot tym i zi, duke sinjalizuar se asnjë nga 133 kardinalët e mbledhur në konklavë nuk arriti të marrë shumicën e kërkuar prej dy të tretash për t’u zgjedhur Papa i ri.

Mijëra besimtarë nga e gjithë bota qëndruan për orë të tëra në sheshin e Shën Pjetrit, në pritje të lajmit për zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Katolike. Sipas traditës së vjetër, tymi i zi tregon se asnjë kandidat nuk ka siguruar ende mbështetjen e mjaftueshme, ndërsa tymi i bardhë shpall zgjedhjen e Papës.

Në ditën e parë të konklavit mbahet vetëm një votim, ndërsa në ditët pasuese janë planifikuar deri në katër raunde votimi, dy në mëngjes dhe dy në pasdite.

Nëse as pas ditës së tretë nuk zgjidhet një papë, votimi ndërpritet për një ditë lutjeje përpara se të rifillojë procesi. Nëse as pas 21 raundeve nuk arrihet konsensusi, fusha ngushtohet në dy kandidatë për një përballje përfundimtare.

Historikisht, disa konklava kanë zgjatur me vite. Gjatë shekullit të 13-të, për zgjedhjen e Gregorit X u deshën mbi 1,000 ditë, ndërsa konklava më e shkurtër ndodhi në vitin 1503, kur Julius II u zgjodh brenda vetëm 10 orësh.

Në shekullin e fundit, procesi është përshpejtuar ndjeshëm. Piu XI u zgjodh pas pesë ditësh në vitin 1922, Gjon Pali II pas tetë raundeve në vitin 1978 dhe Françesku u konfirmua si Papa i ri në ditën e dytë të konklavit të vitit 2013, pas pesë raundeve votimi.