Dëshmia tronditëse e policit për sulmin në Banjskë: Donim të nxirrnim trupin e Afrim Bunjakut, por të shtënat nuk ndalonin
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, polici Çlirim Shaqiri ka dhënë një dëshmi tronditëse mbi momentet dramatike kur përpiqeshin të largonin trupin e pajetë të rreshterit Afrim Bunjaku, i vrarë gjatë sulmit.
Shaqiri rrëfeu se në ato momente, ata ishin nën zjarr të vazhdueshëm dhe ishin të detyruar të qëllonin mbi shtyllat e ndriçimit për të krijuar mbulim, pasi ndodheshin në një pozicion të zbuluar dhe jetët e tyre ishin në rrezik.
“Jam urdhëruar nga kolegu Alban që të fiknim ndriçimin pasi ishim të ekspozuar ndaj sulmit. Mirsadi mori një veturë tjetër, u afrua te trupi i rreshterit të ndjerë Bunjaku dhe nisi ta tërhiqte së bashku me një koleg nga Zveçani, por nuk po ia dilnin vetëm. Mirsadi kërkoi ndihmë dhe unë u bashkova për ta ndihmuar”, tregoi ai.
Polici përshkroi momentet e përpjekjes për ta futur trupin në veturë, ndërsa sulmi nuk pushonte. Ai kontrolloi nëse kishte puls, por nuk mundi të dallonte asgjë për shkak të situatës kritike dhe rrezikut të vazhdueshëm.
“Mirsadi dhe kolegu nga Zveçani, pavarësisht se ishin nën sulm të drejtpërdrejtë, arritën ta tërhiqnin trupin dhe ta largonin drejt Mitrovicës së Jugut. Unë u ktheva pranë kolegëve të mi, afër kamionit ku ishim pozicionuar”, shtoi Shaqiri, i cili ka mbetur edhe vetë i plagosur nga ky sulm.