Dëshmia rrëqethëse e vëllait të Liridona Ademaj: Fëmijët e kanë brengë, e panë të atin që e mbante për ta …

Më 29 nëntor bëhet një vit nga tragjedia që tronditi gjithë Kosovën, vrasja e Liridona Ademajt, 30 vjeçares nga Gjakova.

Në vrasjen të cilën sipas dosjes së prokurorisë u porosit nga ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseliu, u përfshin edhe dy persona tjerë, Kushtrim Kokalla, dhe Granit Plava. Për të vrarë gruan e tij, Naimi dyshohet se i kishte premtuar vrasësit, Granit Plava deri në 30 mijë euro.

Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës, në një rrëfim prekës, ka ndarë përvojën e dhimbshme të tij dhe të familjes, duke folur për momentet e fundit të motrës së tij. Ai ka shpjeguar se Liridona u vra në makinë, përpara fëmijëve të saj të mitur, dhe në praninë e bashkëshortit të saj, Naim Murselit.

“Tash po bëhet 1 vit që nga vrasja e Liridona Ademaj. Ne si familje jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë për aq sa ata po munden të na gjejnë kohë, edhe pse ne do të kishim dashur që të takohemi më shpesh. Vrasja e Liridones është një ndër rastet me të rënda që ka ndodhur vendit tonë, si për nga natyra e viktimës ashtu edhe për nga veprimet kriminale e dinake ndaj një burri kundër një nënë para fëmijëve të tyre. E kuptojmë që Prokuroria duhet të përgatisë aktakuzën sipas ligjit dhe në mënyrë profesionale dhe për këtë ka afat ende në bazë të ligjit. Vrasja e Liridona Ademaj ka ndodhur në bashkëkryerje duke u planifikuar, duke u gjetur ekzekutori, duke blerë armën dhe së bashku të tre duke organizuar dhe ekzekutuar vrasjen e gruas së bashkëkryesit Naim Murseli, sipas porosisë së tij në mënyrë shumë dinake. Pra, është bërë tërësisht e qartë se Naimi ka kërkuar nga Kushtrimi që t’i ndihmojë ta vrasë Liridonën duke i dhënë mbështetje në planifikim e organizim të vrasjes duke i gjetur një person që e njeh se mund ta kryej këtë punë. Kushtrimi i kishte gjetur dorasin Granit Plava si personin adekuat. Ai vazhdoi të ndan detaje të tjera të dhimbshme nga vrasja: “Sipas planifikimit të tyre i kishin kërkuar Granitit të ekzekutonte planin, i cili në natën kritike, sipas koordinimit, Granit Plava e ekzekuton motrën tonë duke e mbajtur shtrëngueshëm për krahu Naimi, në veturë në prezencë të dy fëmijëve të mitur. Është e paparamendueshme se si është ndjerë motra ime (e tradhtuar dhe e pambrojtur nga personi që duhet ta mbronte) në atë moment kur vetura i është ndalur me dinakëri kinse si rezultat i një hajni, e ku papritur është shtrënguar për krahu nga vetë burri i saj. Krahas mungesës deri në amshim që do të kemi, kjo është gjëja që edhe ne si familje e edhe fëmijët po e vuajnë më shumë,” ka thënë ai.