Partia Socialiste nëpërmjet deputetes Klotilda Bushka i ka kërkuar sot Prokurorisë të hetojë deputeten e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi në lidhje me përfshirjen sipas selisë rozë me oligarkët rus.
Bushka kërkon përgjigje për pyetjet se deri ku dhe në ç’masë Kryemadhi është përfshirë me rusët, se cilat janë interesat e saj me oligarkët e Putinit dhe sa i kanë prekur këto marrëdhënie, interesat e Shqipërisë
“Në vend që të vihet në dispozicion të organeve të drejtësisë kërcënonin mediat. Deputetja Kryemadhi duhet të japë sqarime. Pse nuk janë deklaruar.
Implikimi i një politikani shqiptar në skenat e errëta të financimeve ruse është një goditje e fortë, ndaj vlerave evropiane. Drejtësia shqiptare nuk duhet të humbë kohë për të hetuar këtë rast që cenon sigurinë kombëtare në një vend si i yni, i rreshtuar ndër të parët në krah të Ukrainës dhe kundër brutalitetit të Rusisë.
Ndërkohë që znj. Kryemadhi refuzon sqarimet, organet e drejtësisë duhet të hetojnë për të gjitha veprimet që nga mos deklarimi e deri te dyshimet e adresuara nga mediat për pastrim parash e fshehje pasurie.
Vetëm një hetim i plotë do t’i japë përgjigje pyetjeve se deri ku dhe në ç’masë Kryemadhi është përfshirë me rusët, se cilat janë interesat e saj me oligarkët e Putinit dhe sa i kanë prekur këto marrëdhënie, interesat e Shqipërisë”, tha Bushka.
Kujtojmë se prej disa javësh, ish-kryetarja e LSI është vënë në qendër të sulmeve për bashkëpunim me oligarkë të lidhur me Putin. Media ‘eureporter’ publikoi një artikull me disa transaksione që Kryemadhi kishte marrë para nga Alexander Smuzikov dhe Alexander Kaplan për qëllime marketingu.