Derbi i kryeqytetit, Tirana nxjerr në shitje biletat për sfidën me Partizanin
Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit vlen sezonin.
Përballja e 17 majit pritet të vulos edhe fatin e titullit kampion, me bardheblutë që janë të avantazhuar me dy pikë kur deri në fund kanë mbetur edhe 4 sfida për tu luajtur.
Interesi për këtë përballje është mjaft i lartë, me klubin kryeqytetas që do të ketë edhe mbështetjen më të madhe në shkallët e stadiumit “Air Albania”. Për këtë shkak, drejtuesit kanë nxjerr në treg edhe biletat për këtë sfidë, që nisin nga 500 lekë në tribunat pas porte, deri në 6 mijë lekë për tribunën VIP.
Sektori më më shumë bileta do të jetë ai E, me biletat që variojnë nga 1 mijë deri në 1 mijë e 500 lekë.
Në njoftimin e klubit të Tiranës, thuhet se tifozët do të kenë mundësi për tu pajisur me bileta në pikën e shitjes tek stadiumi “Selman Stërmasi” nga ora 10 deri në orën 19:00. Atmosfera në shkallët e stadiumit kombëtar pritet të jetë tepër e zjarrtë, ku nuk pritet të mungojnë as koreografitë fantastike në tribuna.
Këtë sezon, Partizani ka një bilanc pozitiv në derbi, ku ka fituar dy prej tyre dhe humbur një. Fakt interesant është se në tre duelet e fundit ka shënuar vetëm njëra skuadër, duke e kthyer këtë 90 minutësh në një përballje tepër të luftuar.