Deputetit Flamur Noka i hakerohet llogaria në Facebook, Policia apelon për kujdes ndaj mesazheve mashtruese
Llogaria e deputetit demokrat Flamur Noka në rrjetin social Facebook është hakeruar, ndërsa shumë qytetarë kanë rënë pre e mashtrimeve përmes mesazheve të dyshimta që u dërgohen në celularët e tyre.
Në emër të deputetit është shpërndarë një mesazh falënderimi për një “trajniere” të quajtur Cristina Andreas, duke promovuar investimet dhe fitimet në Forex. Kjo ka ngritur alarmin për aktivitete mashtruese të ngjashme që po qarkullojnë në rrjete sociale dhe platforma komunikimi si WhatsApp.
Policia e Shtetit ka reaguar duke paralajmëruar qytetarët që të jenë vigjilentë ndaj këtyre mesazheve mashtruese, të cilat synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe marrjen në posedim të llogarive të tyre.
Njoftimi i Policisë:
Strukturat e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë konstatuar disa raste ku qytetarëve u janë dërguar mesazhe të dyshimta në WhatsApp. Këto mesazhe kërkojnë regjistrim apo pjesëmarrje në aktivitete fiktive, duke premtuar përfitime financiare. Në realitet, qëllimi i tyre është vjedhja e të dhënave dhe kontrolli i llogarive personale.
Policia i këshillon qytetarët:
•Të mos hapin apo të klikojnë mbi këto mesazhe mashtruese.
•Të mos japin të dhëna personale apo të plotësojnë formularë që vijnë nga burime të panjohura.
•T’i fshijnë menjëherë mesazhet e dyshimta që mund të vijnë nga numra të huaj ose edhe nga kontakte që mund të jenë hakeruar.
Nëse qytetarët bien pre e këtyre mashtrimeve, Policia i fton të paraqiten pranë strukturave të Krimit Kibernetik në çdo Drejtori Vendore të Policisë për të denoncuar rastet dhe për të ndihmuar në identifikimin e autorëve.
Policia e Shtetit thekson rëndësinë e kujdesit dhe bashkëpunimit të qytetarëve për të parandaluar aktivitete të tilla kriminale dhe për të mbrojtur sigurinë e tyre kibernetike.