Deputeti më i vjetër i parlamentit të ri/ A do ta çelë Berisha seancën e parë të Kuvendit? Ja si përgjigjet kreu i PD
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përjashtuar mundësinë që ai të jetë deputeti që do të çelë seancën e parë të Kuvendit në shtator, edhe pse është deputeti më i vjetër në parlamentin e ri.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), ku ishte paraqitur për të respektuar masën e “detyrimit për paraqitje”, Berisha deklaroi se nuk mund të marrë një rol të tillë në një parlament që, sipas tij, është produkt i një procesi zgjedhor të manipuluar. Ai e konsideroi këtë si pjesë të një beteje më të gjerë kundër asaj që e cilëson si “vjedhje e organizuar e votës” dhe shprehu vendosmërinë për të vijuar përballjen politike me mazhorancën.
“Unë vazhdoj betejën kundër kësaj vjedhje më monstruoze në 32 vite në historinë pluraliste. Vjedhja ka qenë e paralajmëruar, pasi është denoncuar në katër rezoluta ndërkombëtare. Vijojmë betejën deri në kthimin e votës së lirë për qytetarët. Nuk do mund të ndodhë ndonjëherë që të hap seancën. Vjedhja ka ndodhur me vendime qeverie, pa e fshehur,” deklaroi Berisha para gazetarëve.