Deputeti kapet mat, akuzohet për vjedhje valixhesh dhe shitje të sendeve online! Dëbohet nga grupi parlamentar

Një deputet i ekstremit të djathtë në Portugali, Miguel Arruda, është përfshirë në një skandal që ka tronditur politikën portugeze. Ai akuzohet për vjedhje valixhesh në disa aeroporte, ndërsa përmbajtjen e tyre dyshohet se e shiste në internet.

Sipas mediave lokale, policia e ndaloi 40-vjeçarin në aeroportin e Lisbonës dhe pas një kontrolli, disa valixhe të humbura u gjetën në banesën e tij. Ndërkohë, prokuroria ka nisur një hetim dhe disponon pamje nga kamerat e sigurisë që pretendohet se tregojnë Arrudën duke marrë një valixhe të dytë, përveç asaj personale, nga karuseli i bagazheve.

Arruda i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se është viktimë e një “kryqëzimi publik” dhe duke sugjeruar se pamjet mund të jenë manipuluar nga inteligjenca artificiale. Megjithatë, përballë këtyre akuzave, partia e tij, Chega, vendosi ta dëbojë nga grupi parlamentar.

Presidenti i partisë, André Ventura, u shpreh: Nuk mund ta lejojmë atë të qëndrojë në grupin parlamentar përballë këtyre rrethanave.

Pavarësisht dëbimit nga partia, Arruda ka deklaruar se do të qëndrojë në kuvend si deputet i pavarur dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij parlamentar për të bashkëpunuar me drejtësinë. Hetimet vijojnë, ndërsa skandali ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.