Deputeti gjerman pro heqjes së dinarit në Kosovë: Disa mund të bezdisen, por edhe ne me euro paguajmë

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut Gjerman, Michael Roth, ka dalë pro vendimit të qeverisë së Kosovës për heqjen e dinarit serb, ku tashmë çdo pagesë do bëhet vetëm me euro.

Roth ka shkruar në rrjetet sociale se fakti që Kosova ka hequr dinarin mund të shqetësojë disa njerëz, duke nënkuptuar këtu Serbinë, por ai shton se madje edhe në Gjermani pagesën e bëjnë me euro, jo me dollarë apo paund.

“Disa i rrahën ushtarët e NATO-s deri në shtrimin në spital, të tjerë e bëjnë të qartë se vetëm monedha kombëtare e njohur është e vlefshme në territorin e tyre. Mund të shqetësojë disa njerëz, por edhe në Gjermani ne paguajmë vetëm në euro, jo dollarë apo paund”, ka shkruar Roth, duke i reaguar Ambasadës së Serbisë në Republikën Federale të Gjermanisë

Reagim i Roth vjen për Ambasadën e Serbisë në Gjermani, e cila kishte shkruar se Kosova ka ndërmarrë hap të rrezikshëm përshkallëzues duke ndaluar përdorimin e dinarëve serbë, duke krijuar një krizë tjetër dhe duke ua bërë jetën serbëve të Kosovës të padurueshme