Deputetët britanik votojnë për dekriminalizimin e abortit, ndryshim historik pas 60 vitesh

Parlamenti britanik ka votuar me shumicë dërrmuese për të ndryshuar legjislacionin mbi abortin në Angli dhe Uells, duke ndaluar ndjekjen penale të grave që ndërpresin shtatzëninë jashtë kushteve të përcaktuara ligjërisht.

Ky vendim shënon reformën më të madhe në ligjet e abortit që nga miratimi i Aktit të Abortit në vitin 1967.

Amendamenti, i propozuar nga deputetja laburiste Tonia Antoniazzi, u përfshi në Projektligjin për Krimin dhe Policimin dhe kaloi me një shumicë prej 242 votash.

Ai e heq përgjegjësinë penale nga gratë që ndërpresin shtatzëninë, përfshirë ato që tejkalojnë kufirin 24-javor, duke i dhënë fund mundësisë që ato të përballen me hetime apo arrestime.

Antoniazzi theksoi se legjislacioni aktual, një mbetje e epokës viktoriane, po përdoret gjithnjë e më shumë kundër grave dhe vajzave në rrethana të dëshpëruara.

Ajo solli në vëmendje rastin e Nicola Packer, e cila u arrestua pas një lindjeje të parakohshme në shtëpi, duke e quajtur situatën “një parodi të mundësuar nga një ligj i vjetëruar”.

Megjithëse amendamenti i saj nuk ndryshon kushtet e abortit të ligjshëm apo rregullat për shërbimet mjekësore, ai garanton se gratë nuk do të kriminalizohen për abortet e ndërmarra jashtë këtyre kushteve. Profesionistët shëndetësorë dhe personat që ndihmojnë në abort jashtë kuadrit ligjor do të mbeten subjekt i ndëshkimeve.

Propozimi mori mbështetjen e gjerë të 379 deputetëve dhe u mbështet nga të gjitha organizatat kryesore të abortit, përfshirë Kolegjin Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve (RCOG) dhe mbi 50 organizata mjekësore e ligjore.

Ndërkohë, një amendament më radikal i paraqitur nga deputetja Stella Creasy, i cili kërkonte që aborti të njihej si një e drejtë njerëzore dhe të fshihej plotësisht nga Akti i Veprave Kundër Personit i vitit 1861, nuk shkoi për votim.

Edhe një amendament tjetër i propozuar nga ministrja konservatore Caroline Johnson, për të kufizuar abortet me pilula përmes telemjekësisë, u rrëzua me 379 vota kundër dhe 117 pro.

Presidentja e RCOG, prof. Ranee Thakar, e quajti vendimin “një fitore për të drejtat themelore riprodhuese të grave”, ndërsa Heidi Stewart nga BPAS e përshkroi si “një moment historik” në historinë e të drejtave të grave në Mbretërinë e Bashkuar.

Por jo të gjithë e mirëpritën këtë hap. Shoqata për Mbrojtjen e Fëmijëve të Palindur (SPUC) reagoi me shqetësim të thellë, duke paralajmëruar se amendamenti mund të lejojë aborte në çdo fazë të shtatzënisë.

 

Amendamenti Antoniazzi duhet ende të kalojë përmes Dhomës së Lordëve përpara se të bëhet ligj përfundimtar, por votimi në Dhomën e Komunave sinjalizon një ndryshim rrënjësor në qëndrimin ndaj të drejtave riprodhuese të grave në Angli dhe Uells.