Denoncimi i babait të Fatjon Bicit: U liruan kriminelët, ma vranë djalin për së dyti

Babai i Fatjon Bicit i cili u vra më 16 Maj 2023 në Gramsh ka denoncuar sot në Euronews Albania se bashkëautorët në vrasjen e djalit të tij janë liruar nga burgu. Sipas tij kjo është vrasja e dytë që po i bëhet djalit të tij, kësaj here nga shteti.

“Unë kërkoj pavarësisht se mua ma vranë kriminelët më 14 maj 2023 djalin tani po ma vret për së dyti shteti. Unë e marr vesh se pardje kriminelët janë liruar nga burgu dhe djali im tretet në dhe, ku është shteti, ku është prokuroria, ku është gjykata dhe të gjithë insitucionet që bëjnë të tilla gjeste? Çdo zyrë ose çdo derë që trokas më mbyllet, shkoj në gjyq anullohet, kudo që paraqitem vetëm gënjeshtra”.

Sipas babait të Fatjon Bicit kjo që ndodhi është vrasje për të dytën herë.

“Kjo për mua është vrasja e dytë, a ka shtet këtu? Isha në punë kur e mora vesh, lashë punën e gjeta nusen te policia dhe u interesuam. Po është e vërtetë na thanë, janë liruar dy prej tyre dhe janë në arrest shtëpie dhe u detyrova të dal të ju se nuk po gjej dretësi në asnjë qoshe”, tha babai i Fatjon Bicit.

Ndërsa avokati Gentjan Serjani tha se kemi të bëjmë me ndryshim të masës së sigurisë për dy prej të gjykuarëve nga arrest me burg në arrest shtëpie. Sipas tij kjo ka ardhur si pasojë e mosveprimeve brenda afateve ligjore të Gjykatës së Apelit apo Prokurorisë së Apelit pasi nuk ka një vendim nga Gjykata e Apelit për çështjen e gjykuar në shkallën e parë që dha vendimin në Prill 2024, por që ky vendim e ka humbur fuqinë e masës së paraburgimit sepse ka kaluar afati i përcaktuar në Kodin e Penal për të mitur, që do të thotë që apeli nuk ka dhënë një vendim në periudhën prej 4 muaj e gjysëm duke i dhënë të drejtë avokatëve të dy prej katër të gjykuarëve për shuarjen e masës së paraburgimit nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Më 16 Maj 2023 Fatjon Bici u vra me thikë vetëm pak metra larg shkollës, në lulishten e qytetit të Gramshit. Katër autorët të dyshuar rreth moshës 15 – 16 vjeç, i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë, teksa hyri për ta mbrojtur kushëririn e tij.